Emiliano Martinez ka qenë një nga protagonistët kryesorë të Botërorit që sapo u mbyll. Portieri i Argjentinës bëri bujë me pritjet e tij, pro edhe me sjelljet e çuditshme që dhuronte herë pas herë.
Mbi të gjithë, në histori do të hyjë ajo pas finales së Botërorit kur vendosi trofeun e portierit më të mirë, “Dorashkën e Artë”, mbi organet gjenitale, me një gjest që pushtoi mediat botërore pasi ishte paksa i tepruar dhe i pazakontë.
Pikërisht për këtë sjellje, nga Franca ka ardhur kërkesa në FIFA që t’i heqin trofeun portierit i cili e ka tepruar me festimin e tij. Deputeti francez Karl Olive, i cili është njëkohësisht presidenti i Komitetit Organizator të Lojërave Olimpike Paris 2024, ka kërkuar zyrtarisht nga FIFA që të ndëshkojë Martinez për atë gjest duke i hequr trofeun.
“Kjo është arsyeja pse FIFA duhet t’i heqë trofeun e portierit më të mirë të Botërorit. Kjo nuk është sjellje e autorizuar. Ajo pamje nuk është e bukur për futbollin”, tha Olive.