Mesfushori Alexis Mac Allister ishte një nga emrat që shkëlqeu përgjatë Kupës së Botës me kombëtaren e Argjentinës. 23-vjeçari luan në Premier League me skuadrën e Brighton dhe pas triumfit ai tërhoqi vëmendjen e mjaft skuadrave big në Angli dhe Spanjë.
Sipas të përditshmes spanjolle “AS”, për Mac Allister janë interesuar ekipet e Arsenal, Atletico Madrid dhe Tottenham. Mësohet se dy ekipet e para janë në “pole” për të marrë mesfushorin, ndërkohë që disi më pas ndodhen Spurs.
Skuadrat i interesuara po ushtrojnë presion për ta mbyllur marrëveshjen me kampionin e botës që në merkaton e janarit, ndërkohë që kontrata e Mac Allister skadon në verën e vitit 2025. Të gjithë e konsiderojnë mesfushorin si një lojtar që sakrifikohet për skuadrën, siç u pa edhe në botëror.
Mesfushori luan që në vitin 2019 me Brighton dhe në 86 ndeshje ka realizuar 13 gola. Vlera e tij në merkato është rritur ndjeshëm pas botërorit, duke shkuar deri në 35 milionë euro, ndj ekipet që duan ta blejnë synojnë të afrojnë lojtarë të tjerë në shkëmbim për ta mbyllur marrëveshjen me Brighton.