Ai është njeriu i papunë më i lumtur në botë. Ndërkohë që të gjithë po pyesin për të ardhmen e Cristiano Ronaldos, vetë ylli portugez është rikthyer në rrjetet sociale me një histori mjaft elokuente.
Eliminimi i Portugalisë nga Botërori i Katarit nuk ia hoqi buzëqeshjen pesë herë fituesit të “Topit të Artë”, aq më pak triumfi i rivalit të tij të madh Leo Messi, i cili mundi ta ngrinte trofeun e shumëlakmuar në qiell.
Ronaldo po shijon pushimet e merituara. Për ta bërë këtë, ai zgjodhi një nga shtëpitë e tij shumë luksoze, me spa, pishinë dhe palestër. Pas disa ditësh heshtjeje, lojtari është rishfaqur në rrjetet sociale.
Ndoshta ky është një “çekim” për gazetat spanjolle, që e bënë fakt të kryer sot kalimin e tij në Dubai, nënshkrimin e kontratës me Al Nassr. Ndoshta është një sinjal i fshehtë për ta bërë të qartë se ai tashmë e ka nënshkruar atë kontratë. E vërteta, në postimin e radhës.