Nagelsmani në hall, nis puna me “humbësit”

Futboll

Nagelsmani në hall, nis puna me “humbësit”

Më: 23 dhjetor 2022 Në ora: 15:11
Nagelsmani në hall, nis puna me “humbësit”

Bora ka mbuluar Mynihun, por jo telash et që duket se kanë përfshirë Bajernin. Siç raporton “TZ”, në Mynih nuk janë ditë të lumtura, duke parë se Botërori mund të ketë lënë shije të këqija te shumë prej pjesëtarëve të rekordmenëve të Bundesligës. Mjafton të shohësh faktin se menjëherë pas humbjes në finale, shefi i klubit, Oliver Kahn, bëri një postim motivues për francezët “e tij”, Koman, Pavar e Upamekano, kjo do të thotë se ambientit mund t’i shtohet një hije disi më dëshpëruese, pasi edhe 7 gjermanët e kombëtares së Flikut dolën me kocka të thyera nga Katari.

Trajnerin Julian Nagelsman e pret një detyrë shumë e vështirë, ku ndonëse ka përkrah Kahnin dhe gjithë të tjerët, puna motivuese që duhet bërë nga 3 janari kur të nisë faza përgatitore duhet të jetë shumë e madhe. Në vitet e kaluara, mjaft lojtarë shkonin në stërvitje përpara datës së përcaktuar, ndërsa sivjet në “Säbener Straße” është një shkretëtirë.

Të vetmit që duken janë Nagelsman dhe drejtuesit, prandaj nga dita e tretë e vitit të ri, duhet gjetur çelësi për të ndezur entuziazmin te Bajerni.

Çështjet janë mjaft delikate, sidomos ato të aspektit psikologjik, pasi pas eliminimit në Katar, vërshuan kritika pa fund edhe për ikona si Tomas Myler, ndërkohë që Nojer bën gjëmën duke u dëmtuar dhe mbyllur sezonin pas një aksidenti me ski. Në të njëjtën kohë te Bajerni është hapur edhe një çështje e shiritit të kapitenit, pas bëmës së fundit të portierit, me Kimishin që është shpesh kritik dhe mund të marrë ai spaletat përfundimisht.

Por ndërkohë, edhe francezët që do të vinë janë jo pak të demoralizuar, duke qenë se Koman nuk ishte protagonist në Botëror, Pavar u akuzua për spiun të “Gjelave”, vetëm sepse Deshamp nuk i dha asnjë shans, ndërsa Upamenako u akuzua si më i dobëti i prapavijës së bluve. Shkurt, faza e dytë e Bajernit do të nisë me halle të mëdha për trajnerin Nagelsman, që sivjet ka si objektiv Champions-in, por shorti me PSG-në në 1/8-at ia bën jetën dyfish malore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat