Ky vit 2022 po largohet dalëngadalë. Po vjen Viti i Ri 2023, në të cilin kampioni aktual, skuadra shqiptare e futbollit Shkupi, ka ambiciet e veta.
Me këtë rast, për faqen e klubit nga Çairi, shefi i shtabit profesional, Goce Sedlloski, ka folur për gjysmësezonin vjeshtor.
“Duhet të theksoj se kur e mora skuadrën e Shkupit synimi ynë ishte titulli kampion në Maqedoninë e Veriut dhe këtë ia arritëm.
Pasuan ndeshjet në Evropë dhe më pas këtë vjeshtë edhe në arenën vendase. Në atë periudhë lojtarët ishin të lodhur dhe ekipi ishte i rraskapitur.
Në fillim gjërat nuk shkuan ashtu siç donim dhe kishim planifikuar. Rivalët tanë u larguan me më shumë pikë dhe ishte normale që unë të jepja dorëheqjen.
Pas tre ndeshjesh u ktheva në pankinë pasi gjetëm gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit.
Pastaj rezultatet ishin pozitive, shpresoj që në pranverë të jemi edhe më të mirë.
Dihet që në vitin 2023 synimi ynë është titulli i kampionit”, tha ndër të tjera Sedlloski
Kujtojmë se Shkupi e mbylli pjesën vjeshtore në pozitën e dytë me 34 pikë, tre më pak se kampioni vjeshtor Struga Trim Lum, por ka edhe një ndeshje më pak.