Presidenti i Al-Nassr, Musli Al-Muammar i ka hedhur poshtë zërat që flasin për një transferim të Cristiano Ronaldos në klubin arab para vitit të ri.
Mediumi spanjoll “Marca” raportoi së fundmi se shumë shpejt “CR7” do t’i kryejë vizitat mjekësore dhe do ta nënshkruajë kontratën me klubin nga Arabia Saudite, ku do të paguhet deri në 200 milionë dollarë në vit.
Sidoqoftë, duket se gjërat nuk janë aq afër sa dukej, derisa Al-Muammar theksoi se shumica e lajmeve që qarkullojnë nga Spanja janë gënjeshtra.
“Raportimet për Ronaldon nuk janë të drejta dhe të vërteta dhe shumica prej atyre që janë shkruar nga mediat në Spanjë janë gënjeshtra”, deklaroi Al-Muammar për “A Bola” pas barazimit të Al Nassr me Al Hilal 2:2.
Ronaldo pritet t’i marrë 75 milionë dollarë nga rroga që do ta ketë në Arabinë Saudite, kurse pjesën tjetër të përfitimeve do ta ketë nga marketingu.
Gjithashtu, 37 vjeçari pritet të bëhet ambasador i Arabisë Saudite në tentimin e saj për ta fituar të drejtën e organizimit të Botërorit 2030.
Ronaldo e kaloi një vit të vështirë në fushën e blertë, ndërsa muajin e kaluar u nda me Manchester Unitedin.
Tek Al-Nassr, Ronaldo mund të udhëhiqet nga trajneri Rudi Garcia, i cili në të kaluarën ka drejtuar klube në Evropë si Lille, Roma e Marseille.