Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ka lavdëruar 18-vjeçarin Stefan Bajcetic, pasi ai shënoi golin e tij të parë në Premier League në fitoren 3:1, të hënën ndaj Aston Villës. Vetëm dy minuta pas hyrjes në lojë, Bajcetic tregoi durim dhe aftësi futbolli për të mposhtur portierin e Aston Villa, Robin Olsen.
“Ai ka shumë guxim dhe nuk i intereson asgjë. Ai thjesht luan futboll dhe e bën jashtëzakonisht mirë. Kjo nuk është për t'u habitur, sepse edhe babai i tij Srdjan Bajcetic ka qenë futbollist, kështu që gjenet janë aty.
Por duhet vlerësuar edhe qëndrimi i tij, ndërgjegjësimi në fushë dhe inteligjenca gjatë ndeshjes. Është një kënaqësi e vërtetë të punosh me këta djem”, tha Klopp.
Bajcetic ka lindur në Vigo, ku babai i tij ka luajtur për Celta Vigon nga 1994 deri në 1997 dhe është produkt i akademisë së klubit spanjoll. Liverpooli e bleu atë në dhjetor 2020, në mënyrë që këtë sezon Klopp t'i japë mundësi në ndeshjet e Premier League dhe Champions League.
Është interesante se babai i tij Srdjan luajti në Celta Vigo me Mazinhon, babain e shokut të tij të skuadrës në Liverpool, Thiago Alcantara. Bajcetic në vitin 2021 ishte pjesë e Kombëtares së Spanjës U18.