Ish-anëtari i përfaqësueses së Bosnjës dhe Hercegovinës, Bojan Jamina, ka ndërruar jetë dje në spitalin e Sarajevës, shkruan portali boshnjak “Sport Avaz”.
Sipas informacioneve, 43 – vjeçari qëlloi veten me një plumb në kokë në fund të nëntorit, kështu që ishte dërguar me urgjencë në spital, por një muaj më vonë ai papritur ra në koma dhe ka ndërruar jetë.
Siç u raportua më parë nga mediat e Bosnjës, ai edhe pse e ka qëlluar veten, truri i tij nuk ishte i dëmtuar.
Jamina është trajtuar në Qendrën Klinike të Universitetit të Sarajevës, por nuk ka arritur të shërohet nga gjendja e rëndë. Nuk dihen arsyet pse tentoi të vetëvritej.
Jamina - ish-futbollist i Slavias, Çelikut të Zenicës, OFK Beogradit, Olimpisë së Lubjanës, Trigllavit, Kozarës dhe angazhimi i tij i fundit si trajner ka qenë në skuadrën e të rinjve të Famos nga Vojkoviq.