Për herë të parë që pas humbjes të Botërorit në finalen e madhe Mbappe i kthen përgjigje gazetarëve, të cilët e pyetën për sjelljen e portierit të Argjentinës.
“Mendoj se ajo çfarë bën ai në fushë nuk është problem im. Nuk kam energji për të humbur me gjëra të kota”, tha sulmuesi i PSG-së.
Siç dihet Emiliano Martinez bëri gjithçka në fushë për të shpërqëndruar lojtarët e Francës në momentin e penalltive. Metodat ishin aq josportive sa detyroi kryesorin polak që ta ndëshkonte me karton të verdhë.
Në fjalën e tij sulmuesi i PSG-së u përpoq që të siguronte klubin dhe tifozët se ajo çfarë kishte ndodhur në Katar nuk do të ndikonte në harmoninë e skuadrës.
“Humbjen në finale nuk do ta harroj kurrë, por ashtu siç u thash shokëve të skuadrës, PSG nuk ka përse të ‘paguajë’ për humbjen tonë në Katar. Janë dy situate krejt të ndryshme”, tha 24-vjeçari.
“Mesazhi është i qartë, PSG dhe Franca janë dy gjëra të ndryshme dhe unë jam shumë i vendosur që të sjellim në kryeqytet të gjithë trofetë e mundshëm”, përfundoi Mbappe.