Gjykimi dhe gjyqtarët pritej të ishin protagonistë në kampionatin botëror në Katar. Kështu ka ndodhur në fakt, teksa për ta është folur gjatë e komentuar mjaft. Një nga detajet që ka tërhequr më shumë vëmendjen e publikuar gjatë Botërorit ka qenë minutazhi i zgjatur i minutave shtesë.
Numri i madh i minutave shtesë bëri që takimet të zgjasnin rregullisht deri në 100 minuta. Në shumë prej ndeshjeve, dhjetë minutat shtesë në tabelë ishin diçka e zakonshme. Por kohëzgjatja e shtesës mund të shkonte përtej dhjetë minutëshit po të llogarisim protestat e lojtarëve gjatë shtesës. Mjafton të kujtojmë se Mateu Lahoz gjatë arbitrimit të tij në çerekfinale lejoi në luajtjen e 20 minutave shtesë! Kjo ishte një risi, që u imponua nga rregulli i ri dhe i rreptë i FIFAs për të mos toleruar ndaljen e ritmit të lojës dhe vonesat e panevojshme.
Por nëse gjatë kampionati botëror në Katar, kjo u bë shumë evidente, në fakt në disa prej kampionateve kryesore në Europë “ligji i Botërorit” kishte nisur të aplikohej që me fillimin e sezonit. Një nga rastet ku rregulli i ri i FIFA-s kishte nisur të aplikohej në praktikë ishte kampionati spanjoll, La Liga. Kreu i gjyqtarëve, Luis Medina Kantaleho, e kishte paralajmëruar që në gusht këtë rregull të ri në prezantimin e arbitrazhit të sezonit 2022-2023.
Presidenti i Komitetit Teknik të Arbitrave të federatës spanjolle siguronte se “këtë sezon do të jemi në gjendje të arrijmë deri në 15 minuta kohë shtesë”. E gjitha bëhej me qëllimin për të shmangur humbjen e kohës dhe për të siguruar që futbolli të vazhdojë të jetë një shfaqje. Edhe pse për shumë specialistë e analistë, një rregull i tillë shihet pozitivisht, nga ana tjetër nuk kanë munguar kritikat. Gazeta spanjolle “Marca” ka analizuar secilën nga 14 javët e La Ligës të luajtura deri më tani për të vlerësuar këtë “betejë” arbitrazhi kundër kohës. Përfundimi i raportit është i habitshëm dhe zbulon një angazhim të vendosur për të luftuar reduktimin e kohës efektive të ndeshjeve. 1205 minuta plus –44 ndeshje (nga gjithsej 140) kanë arritur ose tejkaluar dhjetë minuta kohë shtesë.
Gjashtë prej tyre kanë arritur shifrën e treguar nga Medina Kantaleho prej 15 minutash ose më shumë kohë shtesë duke llogaritur të dyja pjesët e lojës. Shuma e kohës shtesë në 14 javët e para në La Liga ka qenë 1205 minuta! Ose njëlloj sikur të ishin luajtur 13 takime më shumë. Ndërkaq, mesatarja e kohës shtesë për ndeshje është 8.6 minuta. Nga 20 skuadrat në La Liga, Getafe është ajo që ka luajtur më shumë futboll me 136 minuta shtesë në ndeshjet e saj! Nga gjyqtarët, ai që ka akorduar më shumë minuta shtesë ka qenë Hernandez Hernandez me një mesatare prej 10.3 minutash shtesë për takim të drejtuar.