Pas pauzës së Botërorit, Atletico Madrid u rikthye me fitore në La Liga teksa Los Colchoneros mposhtën me rezultain 2-0, Elchen.
Sfida për të besuarit e trajnerit Diego Simeone u zgjidh nga golat e Joao Felix dhe Alvaro Morata, teksa tekniku argjentinas u shpreh se ai gjithnjë punon për të marrë më të mirën nga organika në dispozicion ndërsa nuk harroi të komplimentonte edhe lojtarët e sulmit.
“Unë nuk mendoj merkaton, jam i fokusuar te lojtarët që kam aktualisht në organikë dhe mendoj vetëm si të marr më të mirën e tyre. Griezmann, Morata dhe Joao Felix kombinuan mirë në sulm dhe krijuan disa herë rrezikshmëri.
Më vjen mirë sepse lojtarët luajtën me dëshirën për të marrë fitoren, ishte shumë e nevojshme sepse vinim nga një periudhë negative dhe duhej të fitonim në kampionat. E rëndësishme është që grupi të jetë i bashkuar, pasi të gjithë jemi të përfshirë me skuadrën dhe duhet të bëjmë më të mirën për të.