Sulmuesi më i ri i Realit të Madridit, Endrik – do të bashkohet me spanjollët në vitin 2024 – ka dhënë një intervistë për gazetën “Marca”, ku ka shpjeguar arsyet e zgjedhjes së bërë. Ai ishte mes Realit dhe Barcelonës, por në fund shkoi në Madrid për t’iu bashkuar kolonisë braziliane.
Si ndiheni pas nënshkrimit me Realin e Madridit?
Jam shumë i lumtur, falënderoj Zotin, por i kam këmbët në tokë. Nuk kam fituar ende asgjë, madje as nuk kam nisur. Falënderoj Zotin për të tashmen, e ardhmja i përket vetëm atij. Në vitin 2024 kur të shkoj te Reali i Madridit, shpresoj të bëhem pjesë e rëndësishme e klubit. Për momentin jam te Palmeiras, por do ta mbështes skuadrën time të re nga larg. Shpresoj të fitojnë sa më shumë trofe, teksa uroj që dhe miku im Vinicius Zhunior të bëjë një sezon të madh.
Përse zgjodhët Realin? Kishit edhe oferta të tjera në tryezë…
Reali është një klub mjaft i madh. Vini më ka shkruar shumë mesazhe dhe më dha më shumë shpresë. Kristiano Ronaldo gjithashtu është idhulli im dhe ka luajtur për Realin. Për këto arsye zgjodha Madridin dhe besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Zoti ka qenë gjithnjë krah meje dhe më ka drejtuar në rrugën time.
Këto ditë keni qenë me Viniciusin. Çfarë këshillash ju ka dhënë?
Më ka dhënë disa këshilla. Nuk mund të them saktësisht çfarë, sepse kanë qenë shumë, kemi bërë një bisedë të gjatë. Këshillat e tij nuk kanë qenë vetëm për Realin dhe futbollin në Europë, por për gjithçka, kanë qenë këshilla jete. Ai është miku im dhe besoj se miqësia mes nesh do të vijojë gjatë. Shpresoj të argëtohemi së bashku kur të shkoj në Madrid.
Keni mundur të bisedoni me trajnerin Ançeloti?
Po, kam biseduar me Ançelotin, me Rodrigon, Militaon, brazilianët e skuadrës. U jam mirënjohës të gjithëve, por këshilla që i jap vetes është të qëndroj me këmbë në tokë, të jem modest e i përkushtuar.