Plot 11 skuadra shqiptare garuan në kompeticionet europiane gjatë verës së këtij viti. Tirana, Laçi, Partizani dhe Vllaznia nga Superiorja, Ballkani, Drita, Gjilani dhe Llapi nga Kosova, Shkupi e Shkëndija nga Maqedonia e Veriut, dhe Deçiç nga Mali i Zi.
Kjo verë ishte për t’u harruar për skuadrat e kampionatit shqiptar, teksa vetëm Laçi arriti që të kalonte një raund, ndërsa Tirana, Partizani dhe Vllaznia u larguan pa lënë gjurmë. Bardheblutë kampionë e nisën aventurën në raundin e parë të kualifikueseve të Champions League.
Tirana u përball me kampionët e Luksemburgut, Dudelange. Megjithatë, djemtë e Orges Shehit u mundën në të dyja ndeshjet, 1-0 në transfertë dhe 1-2 në “Air Albania”. Aventura europiane nuk u mbyll këtu për Tiranën, që më pas u zhvendos në Conference League, aty ku sfidoi kampionët e Bosnjës, Zrinjski.
Edhe ndaj boshnjakëve, Tirana nuk mori asnjë rezultat pozitiv, pasi u mund 0-1 në kryeqytet dhe një javë më vonë në transfertë me shifrat 3-2, duke e mbyllur këtu aventurën europiane.
Laçi i vendit të dytë ishte i vetmi ekip nga kampionati shqiptar që arriti të kalonte një raund në Europë. Bardhezinjtë kurbinas ia dolën që të eliminonin malazezët e Iskra, teksa fituan minimalisht 0-1 në transfertë me golin e Mentor Mazrekajt, pas barazimit në “Elbasan Arena”.
Në raundin e dytë të Conference League, Laçi gjeti moldavët e Petrocub dhe arriti që të barazonte në ndeshjen e parë në transfertë (0-0), por në “Elbasan Arena” një javë më vonë ndodhi befasia e madhe, duke u mundur me rezultatin e thellë 1-4 dhe duke u larguar nga Europa.
Paraqitje larg pritshmërive dhe nga Partizani, që në raundin e parë gjeti gjeorgjianët e Saburtalos. “Demat” fituan 0-1 ndeshjen e parë në transfertë, por në Tiranë ndërlikuan gjithçka, duke u mposhtur me të njëjtin rezultat. Më pas shtesat e në fund penalltitë, aty ku ishin gjeorgjianët ata që festuan kualifikimin.