KF Shkëndija me probleme financiare

Futboll

KF Shkëndija me probleme financiare

Më: 5 janar 2023 Në ora: 12:16
KF Shkëndija me probleme financiare

Një grup i vogël entuziastësh prej një kohe po mbajnë gjallë aktivitetin futbollistik në konkurencë të femrave në rajonin e Tetovës, konkretish me Klubin e Futbollit të Femrave, Shkëndija. Realisht emër tepëri madh për mbështetje aq të vogël apo kurfarë mbështetje nga institucionet e bizneset e shumta në Tetovë e rajon.

Nën drejtimin e trajnerëve dhe profesorëve Shpëtim Kuçi e Arta Loki, 35 vjaza të moshës 8-15 që stërviten në shkollën e futbollit dhe 13 që janë pjesë e ekipit të parë që garojnë në elitën vendore për femra rrezikojnë të mbeten pa klub, nëse KFF Shkëndijës nuk i zgjatet “një dorë” për mbështetje. 

“Mund të konfirmoj se KFF Shkëndija përballet me probleme serioze finansiare. Nëse kjo situatë nuk ndryshon, ne rrezikojmë të biem nga kategoria dhe kjo do të nënkuptonte probleme shtesë.

E kam fjalën për uljen e vlerës së vaucherit që e kemi si burim të vetëm bashkë me mjetet që ndanë FFM si mbështetje për zhvillimin e futbollit të femrave nga ana e UEFA-së. Nëse nuk luajmë në Ligën e Parë, vlera e vaucherit do të jetë shumë më e vogël dhe ne futemi në probleme shtesë”, sqaron gjendjen e KFF Shkëndija, kryetari i klubit Ibraim Ilazi. 

Pas gjysmësezonit vjeshtor në Ligën e Parë të femrave garojnë 12 skudra dhe KFF Shkëndija mban vendin e 8. Duke llogaritur faktin se 4 ekipet e fundit (pozitat 9, 10, 11 dhe 12) bien nga kategoria, KFF Shkëndija ka nevojë për përforcime për të shmangur rënien një rang më poshtë. 

“Kemi nevoje për 5-6 futbolliste për të përforcuar ekipin. Kemi kontakte dhe e dimë saktë çka na duhet, por mungesa e finansave na kufizon. Me përforcimet që kemi në plan, bashkë me stafin teknik besojmë se ruajmë statusin në elitë, por deri tani mungon mbështetja dhe ne nuk mund të bëjmë asnjë lëvizje”, thotë Ilazi. 

Gjithsesi, duket se në favor të gjithë kësaj situate punon UEFA, që ka kujdes të veçantë në zhvillimin e futbollit të femrave.

Ka paralajmërime ende të pakonfirmuara se nga sezoni 2024/2025 UEFA në procesin e liçencimit për pjesëmarrje në Kupat e Europës do të vendos kusht që klubet të kenë edhe klub në konkurencë të femrave, ndërsa në drejtim të besueshmërisë së këtij lajmi shkon edhe fakti se në fillim të sezonit aktual, nga UEFA klubet janë njoftuar se është mirë por jo e detyrueshme të kenë klub femrash apo të mbështesin një të tillë. 

“Ky do të ishte shpëtimi për ne si klub dhe futbollin e femrave në përgjithësi. Unë edhe tani jam gati për çfarëdo lloj bashkëpunimi. Nëse unë Ibraim Ilazi jam problem, jam gati të distancohem me qëllim të vetëm vajzat të marrin mbështetjen e nevojshme. Është mëkat kaq shumë futbolliste të ndalin aktivitetin e tyre.

Uroj kjo situatë të ndryshojë dhe KFF Shkëndija të vazhdojë funksionimin”, përfundoi Ibraim Ilazi, kryetar i Klubit të Futbollit të Femrave Shkëndija Tetovë..

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat