Shqiptari drejt Serie A, një serb mban peng firmën e tij

Futboll

Shqiptari drejt Serie A, një serb mban peng firmën e tij

Më: 5 janar 2023 Në ora: 19:52
Skuka

Partizani i Tiranës mund të fillojë pjesën e dytë të sezonit pa pasur në radhët e tij emrin kryesor të sulmit, Xhuliano Skukën. Përtej Adriatikut janë të bindur rreth firmës së sulmuesit 24-vjeçar me skuadrën e Veronës dhe që tani flitet për kryqëzimet e merkatos që do të çojnë drejt realizimit të marrëveshjes mes klubeve.

E përditshmja veroneze  ”L’Arena” bën të ditur se gjithçka varet nga shpejtësia me të cilën Verona do të mbyllë shitjen e Darko Lazoviç te Monza. Negociatat për transferimin e mesfushorit serb vazhdojnë prej javësh dhe pritet që shumë shpejt ai të ndërrojë skuadër në Serinë A.

Më pas, klubi do të përqendrohet te Skuka, për të cilin mendohet se do të shpenzohet më pak se 1 milionë euro për të siguruar kartonin nga Partizani.

Nëse skenari realizohet, ky do të ishte hapi i rëndësishëm për sulmuesin i cili ia doli të shpërthente edhe në radhët e përfaqësueses shqiptare. Por ndërkohë do të komplikonte disi planet e Partizanit që duhet të kërkojë një sulmues të ri për të përballuar vazhdimin e sezonit ku synon titullin kampion.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat