Mbrojtësi 30-vjeçar polak Bartosz Bereszynski ka lënë sot qendrën stërvitore të Sampdoria për të udhëtuar drejt Romës ku do të kryejë vizitat mjekësore e më pas do të firmosë për Napolin.
Palët kishin arritur prej kohësh marrëveshjen, e cila do të konkretizohet orët në vijim, pak ditë para sfidës që dy ekipet do të zhvillojnë të dielën në mbrëmje në kampionat.
Bereszynski, që luan me Sampdoria që prej vitit 2017, duke marrë edhe shiritin e kapitenit, do të mbërrijë te Napoli në formë huazimi deri në fund të sezonit, me të drejtë blerje.
Në kahun e kundër, nga Napoli te Sampdoria, do të udhëtojë Alessandro Zanoli, që do të luajnë gjithashtu në formë huazimi, por pa të drejtë blerje.
Bereszynski luan edhe me kombëtaren e Polonisë, duke bërë një paraqitje të mirë në botërorin e fundit në Katar. Problemet financiare që ka skuadra e Sampdoria mundësuan këtë transferim të lojtarit, që sot paradite ka përshëndetur ish-shokët e skuadrës për të udhëtuar drejt Romës.