Përçan Barcelonën

Futboll

Përçan Barcelonën

Më: 7 janar 2023 Në ora: 13:36
Përçan Barcelonën

Barça e di se do të duhet të gjejë një zëvendësues për Sergio Busquets më shpejt se sa vonë. Mesfushori nga Badia është 34 vjeç dhe kontrata e tij po ashtu përfundon më 30 qershor. Synimi i tij deri pak javë më parë ishte largimi në fund të marrëdhënies me klubin e Barçës. Megjithatë, siç shpjegon “Mundo Deportivo”, Xavi Hernández i ka thënë se do të dëshironte që të vazhdonte të paktën edhe një sezon. Prandaj, ‘Busi’ po mendon për këtë, shkruan Telesporti.

Në çdo rast, nëse do të rinovojë apo jo, Barça duhet të kërkojë një lojtar për të marrë pozicionin që Busquets do të lërë në qershor, ose pak më vonë. Në këtë kuadër, në kupolën drejtuese të klubit është hapur një “luftë” se kush duhet të zgjidhet. Pretendimet e stafit stërvitor, me në krye Xavi, nuk përkojnë me pretendimet, që kanë një pikë më strategjike, të presidentit dhe lidershipit ekonomik.

Ndërkohë nga fusha sportive janë pikasur emrat e futbollistëve veteranë dhe të dëshmuar, të cilëve iu skadon kontrata dhe do të kishin iluzionin të bënin një hap përpara në karrierën e tyre duke zbritur në “Camp Nou”, në stilin e Lewandowskit. Gjithashtu, ka zgjidhje kyçe të brendshme. Në çdo rast, nuk ka unanimitet në analizën se kush është lojtari ideal dhe kjo ka krijuar një debat të brendshëm, nga i cili për momentin nuk ka asnjë pikë takimi.

Fakti është se i preferuari i Xavi Hernández është Martín Zubimendi (23 vjeç), mesfushori i Real Sociedad. Së fundi ai rinovoi deri në vitin 2027, por klauzola e ndërprerjes së kontratës u vendos në 60 milionë.

Ai është lojtari që Xavi e pëlqen më shumë si zëvendësues i Busquets, sepse sheh shumë tipare të ngjashme dhe një aftësi të madhe për të luajtur si “strumbullar” në lojën pozicionale dhe të posedimit, sikurse i pëlqen trajnerit nga Terrassa. Krahas kësaj, futbollisti në fjalë ofron edhe performancë të mirë në mbrojtje sa i përket rikuperimit të topave.

Problemi me të preferuarin e Xavit është se bordi i drejtorëve e sheh atë si të shtrenjtë, me lojtarë aktuale blaugrana që mund ta bëjnë atë pozicion. Laportës i pëlqen opsioni De Jong. Dhe nga jashtë, presidenti nuk e fsheh shijen, as në intervista, për Rúben Neves (25 vjeç), mesfushor i Wolverhampton, me kontratë deri në vitin 2024. Laporta ka informacione të mira për të, sepse përfaqësohet nga Jorge Mendes, me të cilin ka një marrëdhënie shumë të mirë.

Agjenti portugez pohon se mund ta sjellë në “Camp Nou” me një çmim të volitshëm. Por këtu lind edhe një problem: Xavi dhe stafi i tij nuk janë të bindur, sepse nuk e shohin atë si një “strumbullar” të pastër. Ata pohojnë se ai ka luajtur gjithmonë si një “pivot” i dyfishtë dhe për këtë arsye nuk e shohin si profilin ideal për ta zëvendësuar Busquets.

Ndërkohë, presidenti pohon se përveçse një operacion i mirë në nivel sportiv dhe ekonomik, ardhja e Neves do të ndihmonte negociatat me Mendes për të mbyllur rinovimin e Alejandro Balde, kontrata e të cilit përfundon më 2024 dhe që Barça kërkon ta mbajë me çdo kusht. Anësori i ri kohët e fundit e përmirësoi situatën e tij, kur i tha “Radio Barcelonës” se dëshiron të jetë përgjithmonë te Blaugranët, “por kurrë nuk e di të ardhmen”.

Nga ana tjetër, sekretariati teknik nuk është plotësisht i qartë për Neves për shkak të profilit të tij. Paralelisht janë hedhur në tavolinë opsionet e N’Golo Kanté (31 vjeç) dhe Jorginho (31), të cilët përfundojnë kontratën me Chelsea dhe janë lojtarë të nivelit, me një karrierë të gjatë në elitë.

Stafi stërvitor e pëlqen Kante, por dy faktorë punojnë kundër tij. Francezi është jashtë për shkak të një dëmtimi muskulor, kështu që nuk dihet se si do të jetë dhe se Chelsea po kërkon t’ia rinovojë kontratën, sepse e konsideron atë një nga emblemat e veta. Ndërkohë, edhe Jorginho i pëlqen stafit teknik katalanas. Edhe situata e tij është hetuar gjithashtu.

Italiani me origjinë braziliane po dyshon gjithashtu nëse do të qëndrojë te Chelsea apo do të vazhdojë, me Barçën gjithashtu në listën e tij të opsioneve, nëse largohet nga “Stamford Bridge”. Sikurse duket, fjalën e fundit e ka presidenti, por tashmë dihet se ai që bën formacionet është trajneri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat