Federata Shqiptare e Futbollit po organizon prej dy ditësh seminare dhe testet fizike me arbitrat dhe asistentët e kategorisë “Abissnet Superiore” në prag të rinisjes së sezonit futbollistik pas ndërprerjes dimërore.
Të premten arbitrat dhe asistentët iu nënshtruan testeve fizike në ambientet e Shtëpisë së Futbollit me rezultatet që ishin mjaft të mira, ndërsa këtë të shtunë nën drejtimin e Sektorit të Arbitrimit në FSHF u zhvillua seminari, ku mori pjesë edhe instruktori i UEFA-s, Costa Kapitanis.
Gjatë seminarit u diskutua përmes video-testeve për situata të ndryshme të lojës dhe interpretimi i duhur i rregulloreve, ndërsa arbitrat shkëmbyen vazhdimisht mendime për raste të caktuara të ndeshjeve.
Instruktori i UEFA-s, Kapitanis, duke folur për Fshf.org vlerësoi ecurinë e seminarit dhe standardin e arbitrave të kategorisë elitare shqiptare, ndërsa theksoi se këto përgatitje janë mjaft të rëndësishme për arbitrat në prag të rinisjes së sezonit futbollistik.