Të premten arbitrat dhe asistentët iu nënshtruan testeve fizike në ambientet e Shtëpisë së Futbollit me rezultatet që ishin mjaft të mira, ndërsa të shtunën nën drejtimin e Sektorit të Arbitrimit në FSHF u zhvillua seminari, ku mori pjesë edhe instruktori i UEFA-s, Kosta Kapitanis.
Gjatë seminarit u diskutua përmes video-testeve për situata të ndryshme të lojës dhe interpretimi i duhur i rregulloreve, ndërsa arbitrat shkëmbyen vazhdimisht mendime për raste të caktuara të ndeshjeve. Instruktori i UEFA-s, Kapitanis, duke folur për Fshf.org vlerësoi ecurinë e seminarit dhe standardin e arbitrave të kategorisë elitare shqiptare, ndërsa theksoi se këto përgatitje janë mjaft të rëndësishme për arbitrat në prag të rinisjes së sezonit futbollistik. “Dua të falënderoj FSHF, Sektorin e Arbitrimit dhe Sokol Jarecin për ftesën që më bënë.
Jam i kënaqur që ndodhem këtu për t’u dhënë leksione arbitrave të Superiores. Seminari organizohet në kuadër të përgatitjeve për rinisjen e sezonit pas pauzës dimërore. Arbitrat mblidhen dhe përgatiten duke marrë instruksione për rregullat e reja, situata të ndryshme loje në mënyrën që të jenë të gatshëm për të drejtuar ndeshjet e kampionatit.
Unë bëra prezantimin tim të parë dhe jam impresionuar nga standardi i arbitrave. Unë shkëmbeva mendime me to, çdokush mund të mësojë gjëra të reja, përfshi dhe mua, ky është çelësi. U thashë arbitrave se nuk duhet të kenë frikë se mund të bëjnë gabime, veçanërisht këtu në seminar, sepse ne mësojmë nga gabimet tona.
Ne duhet të analizojmë dhe duhet të pyesim veten pse e bëmë gabimin e më pas të gjejmë një zgjidhje. Por gjithmonë ne analizojmë vendimet e sakta, si një shembull për brezat e rinj të arbitrave. Dua t’u uroj arbitrave shqiptarë sa më shumë fat në pjesën e mbetur të sezonit”, tha Kapitanis.