Hugo Lloris pensionohet nga kombëtarja e Francës

Futboll

Hugo Lloris pensionohet nga kombëtarja e Francës

Më: 9 janar 2023 Në ora: 20:16
Hugo Lloris

Pas 14 viteve te kombëtarja e Francës, portieri Hugo Lloris të hënën ka njoftuar se ka vendosur të pensionohet.

"Gardiani" i Tottenhamit ishte kapiten i Francës që nga viti 2010, duke iu afruar edhe rekordit për më së shumti paraqitje që mbahet nga Lilian Thuram (145), derisa Lloris ka 142.

Mirëpo, në një intervistë së fundmi për "L'Equipe", Lloris bëri të ditur se ndeshja ndaj Argjentinës në finalen e Kupës së Botës ka qenë e fundit për të, pasi ka vendosur të pensionohet nga kombëtarja.

"Vjen një kohë kur duhet të jesh në dijeni që duhet ta kalosh dorën. Gjithmonë kam thënë dhe përsëritur se Franca nuk i përket askujt dhe të gjithë duhet të sigurohemi që të jetë kështu, unë fillimisht".

"Mendoj se skuadra është gati të vazhdojë, ka edhe një portier që gjithashtu është gati (Mike Maignan)".

Në fund i pyetur lidhur me arsyet, ai bëri me dije se preferon të pensionohet derisa është në formë, duke shtuar se dëshiron edhe të kalojë më shumë kohë me gruan dhe fëmijët.

"Preferoj të largohem duke qenë në krye sesa të shoh rënien e shpejtësisë dhe garën e madhe. Aty është edhe një arsye familjare, mendoj që duhet të kaloj më shumë kohë me gruan dhe fëmijët e mi".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat