Viti 2023 po fillon me lajme të hidhura siç u mbyll viti 2022, sa i përket Kombëtares shqiptare të futbollit.
Pas dëmtimeve të gjata të Manajt, Brojës e Bares, tashmë vjen një tjetër dëmtim i cili lë jashtë fushave për një kohë të gjatë një nga talentet e rinj të mbrojtjes, Adrian Bajramin.
Futbollisti i cili është grumbulluar vazhdimisht nga Kombëtarja A në vitin 2022 dhe i cili aktivizohet me skuadrën e Benfikës B, ka munguar në ndeshjen e kësaj fundjave të skuadrës së tij që luajti kundër Feirense.
Klubi i Benfikës ka bërë të ditur se mungesa e tij në ndeshjen e fundit me skuadrën B, ishte pasojë e një frakture në fibulën e këmbës së djathtë. Kjo pritet që të lërë në bokse futbollistin 20-vjeçar për një periudhë të gjatë e sigurisht që nuk do të jetë në dispozicion të Silvinjos për grumbullimin e muajit mars për ndeshjen e parë në eliminatoret e Euro 2024.