Tifozët anglezë të futbollit do të përballen me ligjin nëse kapen duke parë ndeshjet e Premier Ligës në platforma pirate. Sipas mediave britanike, duke nisur nga java e ardhshme (16 janar), policia do të ushtrojë kontrolle të rastësishme në banesat e britanikëve.
Fillimisht ata do të kontrollojnë 1000 banesa, ku dyshohet se ka platforma pirate që transmetojnë Premier Ligën.
Policia do të vizitojë 1000 shtëpi në javën e ardhshme për të paralajmëruar tifozët se mund të përballen me ndjekje penale nëse vazhdojnë të shikojnë ndeshjet e Premier Ligës në transmetime të paligjshme.
Efektivët do të trokasin në dyert e tifozëve, dhe në fillim do i paralajmërojnë ata për pasojat ligjore që sjell përdorimi i paketave pirate, e më pas mund të kalohet edhe në hapa të tjera procedurale.
Qëllimi, sipas kryeinspektorit të policisë kriminale, Geri Robinson, nuk është për të penalizuar qytetarët, por për të goditur grupet kriminale që ofrojnë shërbimet pirate.
“Qasja në filma, seriale televizive dhe ngjarje sportive të drejtpërdrejta nga burime të paautorizuara është e paligjshme, mund t’i ekspozojë konsumatorët ndaj rreziqeve të tilla si vjedhja e të dhënave dhe malware dhe mund të ndihmojë financimin e krimit të organizuar” – tha Robinson në një deklaratë.