Nga i padëshiruar në hero

Futboll

Nga i padëshiruar në hero

Më: 11 janar 2023 Në ora: 15:35
Françesko Açerbi

Françesko Açerbi do ta mbajë mend gjatë ndeshjen e mbrëmshme me Parmën dhe mbi të gjitha golin e realizuar, që mund të jetë çelësi që më në fund marrëdhëniet mes tij dhe tifozëve të Interit të normalizohen.

I kontestuar pafundësisht nga zikaltrit kur Marota vendosi të plotësonte kërkesën e Inzagit dhe ta sillte në huazim nga Lacio (shkak u bë një foto e tij i buzëqeshur kur Lacio pësonte në minutën e fundit nga Milani dhe tifozët zikaltër akuzuan për tolerancë nga ana e mbrojtësit), mbrëmë italiani ishte padyshim heroi i tifozëve të tij, kur me golin e tij në minutën e 110-të të kohës shtesë, shmangu që Interi të skualifikohej nga Parma e Serisë B.

Në përfundim të ndeshjes, protagonisti i mbrëmjes tregoi për mikrofonat e “Sportmediaset” emocionet e golit.

“Goli? E pashë topin që po vinte drejt meje dhe pashë edhe vendosjen e kundërshtarëve dhe vendosa të provoja.

Për fat shkoi mirë dhe përfundoi në rrjetë”, e nisi fjalën e tij mbrojtësi që edhe pse u aktivizua vetëm 10 minuta nga fundi i kohës së rregullt, ishte i vetëdijshëm për vështirësinë që hasën në fushë shokët e tij të skuadrës:

“U pa që nuk ishte aspak një ndeshje e thjeshtë dhe këtë e ndjeva edhe kur hyra në fushë. Rezultoi shumë e komplikuar dhe rrezikuam shumë me të, por në fund ia dolëm që rezultati të ishte në favorin tonë dhe të siguronim kualifikimin, pasi siç e kemi thënë Kupa e Italisë dhe çdo kompeticion janë objektivat tanë”.

120 minutat e mbrëmjes së djeshme, edhe pse Inzagi kishte zgjedhur rrotacionin, nuk përjashtohen të ndikojnë në ndeshjen e fundjavës kundër Veronës në kampionat, aty ku Interi duhet të kthehet te fitorja pas ndalesës me Monzën, edhe pse duket se tashmë mendja e zikaltërve është te finalja e Superkupës ndaj Milanit mesjavën e ardhshme.

“Tani duhet të fokusohemi te përgatitjet për sfidat e radhës”, tha Açerbi duke vazhduar: “Na presin dy ndeshje shumë të rëndësishme si ajo me Veronën dhe Milanin dhe do të zbresim në fushë për t’i fituar të dyja. Ka shumë faktorë që ndikojnë gjithmonë, por ne synojmë të jemi gjithmonë të përgatitur në maksimum sepse ndaj Milanit kemi mundësinë të fitojmë trofeun e parë dhe nuk duam të gabojmë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat