Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, nuk fshihet prapa gishtit. Ai më mirë asnjë tjetër e di se pas dështimit në Ligën e Kampioneve, vetëm titujt e ndihmojnë të ketë një rrugë të gjatë në “Camp Nou”.
Në sezonin e tij të dytë në krye të Barçës – i pari plotë – Ksavi e di se priten rezultate konkrete.
Ndaj e sheh Superkupën e Spanjës si një aperitiv dhe një mundësi për trofeun e tij të parë që kur mori drejtimin e Barçës në nëntor 2021. Barça do të përballet sonte në mbrëmje në Riad me Betisin në gjysmëfinale, me objektiv finalen e madhe të së dielës.
Ai është shprehur në konferencën për shtyp se suksesi në Superkupë do t’i jepte moral tjetër skuadrës për vijimësinë e sezonit.
SUPERKUPA – “Është një trofe që nuk e kemi fituar ende. Vijmë në këtë kompeticion në formë të mirë.
Do të përpiqemi të tregojmë personalitetin tonë.
Edhe nëse e fitojmë këtë trofe nuk ndryshon shumë, por ky trofe përbën një shtysë për pjesën tjetër të sezonit, si trofe i parë që është”. tha Xavi.