“Nuk ka përforcime në merkaton e dimrit, duhet të rikuperojmë të dëmtuarit”. Kështu u shpreh Stefano Pioli në prag të ndeshjes ndaj Lecce në konferencën për shtyp. Asnjë dramë pas barazimit me Romën dhe nokautit ndaj Torinos: “Lojtarë të kënaqur? Absolutisht jo. Thjesht duhet të rrisim nivelin e lojës, të kemi më shumë vëmendje, cilësi dhe vendosmëri”. Trajneri i Milanit gjen sërish dy lojtarë të rëndësishëm: “Kjaer dhe Origi janë gati, Rebic po ashtu”.
Mbi momentin e ekipit – “Në dy paraqitjet e fundit nuk kemi arritur rezultate pozitive. Duhet të bëjmë më shumë, por pashë dëshirën për t’u përmirësuar. Me Romën gjithçka ishte nën kontroll, ndaj Torinos bëmë një lojë të ndershme. Nuk është çështje e rotacionit, por duhet të kemi më shumë përqendrim, cilësi dhe vendosmëri”.
Mbi të lënduarit – “Grupi është i fortë kur të jetë i kompletuar, shpresojmë t’i rikuperojmë të gjithë sa më shpejt të jetë e mundur. Na mungojnë lojtarët si Kjaer, Florenzi dhe Ibra. Jo vetëm nga pikëpamja teknike, por edhe për drejtimin. Origi dhe Kjaer janë rikuperuar për nesër, Rebiç mund të jetë gati për Superkupën”.
Pas nokautit kundër Torinos – “Fola menjëherë me djemtë dhe i lashë të pushojnë më mirë pas kohës shtesë”.
Rreth Torinos – “Kemi bërë 36 goditje, vetëm 8 në portë. Na mungonte qartësia. E donim shumë rezultatin dhe ishim të furishëm. Duhet të konkretizohemi më mirë”.
Rreth Vranckx – “Ai është një djalë me cilësi të shkëlqyera, përshtatet mirë. Do të ketë hapësirë, unë duhet të bëj zgjedhjet më të mira për të nxjerrë ekipin më të fortë të mundshëm në fushë”.
Mbi arsyet – “Nuk kam asnjë justifikim, duhet të rrisim nivelin tonë të performancës për të fituar një tjetër trofe”.
Merkatoja – “Kam një ekip të kompletuar në çdo repart, presim rikthimin e lojtarëve të dëmtuar. Nuk është nevoja të ndërhyhet në merkato. Bakayoko largohet? Nuk e di, nuk ka asnjë lajm. Ai është gjithmonë duke u stërvitur në maksimum, si një profesionist i vërtetë”.
Rreth kampionatit – “Nuk është vendimtare nesër, kemi ende një rrugë të gjatë për ta përshkuar. Le të kujtojmë vitin e kaluar, ne mund të grumbullojmë më shumë pikë”.
Mbi De Ketelaere – “Ai luajti një ndeshje të mirë si qendërsulmues, pastaj e kishte më të vështirë të merrte topa edhe falë lodhjes së tij”.
Mbi kritikat – “Mendoj se është normale që ka një sy më kritik ndaj nesh, sepse fituam titullin dhe luajtëm futboll të mirë. Jemi të parët që duam gjithmonë të bëjmë më mirë. Kritikat vijnë pas dy ndeshjeve të fundit, sepse nuk fituam. Sezoni është i gjatë, nuk do të përfundojë as sonte pas Napoli-Juventus. Superkupa është një objektiv i menjëhershëm dhe i rëndësishëm për ne”.
Rreth Bennacer – “Jam shumë i lumtur për Ismael, një kontratë e merituar për vendosmërinë e tij. Ai është shumë ambicioz dhe lojtarët duhet të jenë të tillë. Në të njëjtën kohë ai është modest dhe e di se duhet të përmirësohet. Leao dhe Giroud? Jam i sigurt se së shpejti do të vijnë më shumë lajme të mira”.
Për Spallettin dhe Allegrin – “Favoriti për momentin është Napoli. 7 pikë përpara janë shumë, por jo vendimtare. Do ta shijoj ndeshjen e mbrëmjes së sotme”.