Ferizaj nuk ndalet me përforcime nga Maqedonia e Veriut, me ambicie që të sigurojnë ekzistencën në elitën e futbollit të Kosovës.
Lojtari Filip Gligorov është përforcim i radhës.
“Ferizaj ka arritur marrëveshje me lojtarin e njohur nga Maqedonia e Veriut, mbrojtësin e djathtë, Filip Gligorov.
Mbrojtësi ynë i ri, së fundmi ishte pjesë e Shakhter Karagandyt në Kazakistan. Ndërsa në të kaluarën ka mbrojtur edhe ngjyrat e Kukësi, Partizani, FC Shkupi, KF Vllaznia, D. Calarasi, Sileks, Olimpik, Euromilk GL, STK Samorin, Banik Ruzina dhe Rabotnicki.
Gligorov me rastin e nënshkrimit të kontratës, ka thënë se kjo është aventura e tij e parë në futbollin kosovar dhe është i motivuar për të arritur objektivat e klubit”, njofton FC Ferizaj.
“Kjo është hera e parë për mua që do të luajë në Kosovë, sigurisht se në të kaluarën kam pasur oferta, por asnjëra nuk më ka bindur. Oferta e klubit të Ferizajt ka qenë ndryshe nga të tjerët sepse bëhet fjalë për një projekt shumë konkret dhe profesional. Për ne lojtarët është e rëndësishme që të na krijohen kushtet për të dhënë më të miren nga vetja.
Dhe klubi i Ferizajt i përmbush të gjitha nevojat.
Jam shumë i motivuar dhe menxi e pres fillimin e garave. Nga ajo se çka kam dëgjuar bëhet fjalë për një klub me lojtarë të talentuar, e që sigurisht se edhe me ndihmën e fatit ne do të arrijmë objektivat tona”, ka thënë Gligorov për faqen e klubit.
FC Ferizaj njofton se me Gligorov, ne e kemi mbuluar nevojën që e kishim në krahun e djathtë të mbrojtjes, por që sigurisht se nuk do të jetë transferi i fundit.
FC Ferizaj mbetet e angazhuar që të sjellë afër vetës lojtarët që do e bëjnë diferencën.