Tirana e nis me fitore 2023-shin, mban ritmin me Partizanin

Futboll

Tirana e nis me fitore 2023-shin, mban ritmin me Partizanin

Më: 14 janar 2023 Në ora: 07:51
Tirana

Kampionati u rikthye në fushë. Superiorja luajti dje ndeshjet e para për vitin 2023, që i përkisnin javës së 16-të të saj. Ra në sy fitorja e Tiranës, e cila me trepikëshin e marrë ndaj një rivali të fortë si Laçi tregon se bardheblutë nuk i kanë zbehur objektivat e tyre, edhe pse kriza financiare që rrotullohet në klub nuk u jep frymëzim futbollistëve dhe i ka dhënë një pamje të paqartë klubit në tërësi.

Gjithsesi, Tirana e nisi me një fitore në Laç vitin 2023, ndërkohë që u mbyll pa gola dueli Bylis-Kukësi. Dueli mes nënkampionëve dhe kampionëve të Shqipërisë i luajtur në Kurbin, përfundoi me suksesin 1-2 të bardhebluve të Orges Shehit. Bardhezinjtë e nisën shumë mirë ndeshjen, kaluan në avantazh në minutën e dytë me anë të Vasil Shkurtajt, me sulmuesin vlonjat që humbi një shans të artë për të dyfishuar në minutën e 21-të, por nuk ia doli të dërgonte topin në rrjetë me portën e boshatisur.

Tirana reagoi dhe në minutat shtesë të fraksionit të parë barazoi sfidën falë golit të Bruno Lulajt (45+3’). Kampionët e nisën mirë edhe pjesën e dytë, me Florent Hasanin që realizoi një eurogol (47’). Minuta të mira për ekipin kryeqytetas, por Mario Dajsinani mbajti në lojë Laçin me pritjet e tij. Vendasit tentuan barazimin, por nuk ia dolën të evitonin humbjen e dytë radhazi në kampionat. Tirana rikthehet te fitorja pas dy humbjeve në Durrës dhe në derbi, dhe tani numëron 28 pikë, një më pak se Partizani kryesues, që pret Vllazninë sot në kryeqytet. Bylisi dhe Kukësi ndanë nga një pikë pas barazimit 0-0. Në Ballsh u zhvillua një ndeshje e fortë dhe plot duele. Dy skuadrat e mbyllën sfidën me nga 10 lojtarë pas daljeve me të kuq të Aldo Qoshkut për vendasit (83’) dhe Gabriel Barbosës për verilindorët në minutat shtesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat