Kapllani: Barazuam me ekip që luan për titull

Futboll

Kapllani: Barazuam me ekip që luan për titull

Më: 14 janar 2023 Në ora: 15:29
Kapllani

Trajneri i Erzenit, Xhevahir Kapllani, e ka cilësuar një rezultat shumë pozitiv të sotmin ndaj Egnatias ku shijakasit barazuan në transfertë.

“Largohemi me rezultat pozitiv, pavarësisht se erdhëm për dy rezultate, duke parë që impianti është i mrekullueshëm e fusha super. E kishim përgatitur ndeshjen shumë mirë, skuadra besoj se në 70-80% të lojës u vendos mirë, u mundua të zbatonte me përmikmëri detyrat. Përpos dyshimeve të vogla që kam te rasti i penalltisë, por nuk do të merrem me të.

Unë kam qenë pak larg, por aty kisha përgatitësin atletik duke stërvitur lojtarët dhe që kur e pashë që lojtari i Egnatias u shtri vetë, më bëri me shenjë që nuk është penallti. Po ia lëmë në dorë gjyqtarit, ai dhe VAR mund të vepronin ndryshe. Po pak rëndësi ka, ndeshja mbaroi dhe rezultati është ai që është. Po luanim me një nga ekipet më të mira, të përgatitura për të gjitha dimensionet, pretendon për titull apo Europë. Kurse ne jemi luftë, luftë, luftë deri në pikën e fundit dhe ndeshjen e fundit.

Mendoj se përveç mungesës së Kahrimanoviç, kishim një mungesë të rëndësishme si Krasniqi i cili është lideri i skuadrës. Kush e zëvendësoi, u mundua të bënte më të mirën e mundshme. Ne u vendosëm pak mbrapa, por erdhëm edhe që të goditnim jo vetëm me kundërsulm por edhe me lojë ballore.

Gjithçka është e mundur por duke parë ngjeshjen e skuadrave, të gjitha janë të forta dhe çdo pikë apo trepikësh është flori, ne do të vazhdojmë me të njëjtat objektiva dhe mendime që ndeshje pas ndeshje të japim 200% në fushë.

Nuk është aq e lehtë të marrim dy fitore radhazi se tani është eliminuar faktori fushë, mund të vish mirë e marrësh pikë në Rrogozhinë, e pastaj lë pikë në fushë tënde. Kampionati ka hyrë në një rrjedhë shumë të vështirë dhe ne do të mundohemi të marrim maksimumin nga skuadra.

Siç e kemi thënë që çdo ekip mundohet të përforcohet por baza do të jetë pak a shumë skuadra e sezonit të parë”, theksoi për “Oversport” trajneri Kapllani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat