Më shumë bashkëpunim me qëllim të ngritjes së mëtejme të futbollit, ka qenë një nga temat e takimit mes kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit, dhe homologut të tij nga Maqedonia e Veriut, Muamed Sejdinit.
I pari i FFK-së ka njoftuar për pritjen e bërë Sejdinit në Prishtinë.
"Sot prita për vizitë njëditore mikun tim, presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini.
Diskutuam për futbollin në dy vendet tona, për organizimin e federatave si dhe për zhvillimin e ndeshjeve miqësore.
Raportet e dy federatave tona janë tejet të ngushta, prandaj duam që në të ardhmen të kemi sa më shumë bashkëpunime, me qëllim të ngritjes së mëtejme të futbollit", ka thënë Ademi në një postim të tij në rrjetin social Facebook.
Ai gjithashtu ka njoftuar se ka qëndruar në Turqi, ku e ka vizituar klubin e njohur, Besiktas.
"Dje gjatë qëndrimit në Stamboll kisha kënaqësinë të vizitoja klubin e njohur turk, Beshiktash.
Gjatë kësaj vizite u njoftova me formatin e ri, me sistemin e punës si dhe me kampin e këtij klubi. Beshiktash është një klub me arritje të shpejtë, me rezultate e organizim të shkëlqyeshëm dhe shembull për t'u ndjekur", ka njoftuar Ademi.