Derbi bask mban emrin e Real Sociedad, me fitoren bindëse 3-1 të kësaj të shtune.
Sociedad triumfoi 3-1 ndaj Athletic Bilbao-s, në një sfidë që miqtë e luajtën me 10 lojtarë që nga minuta e 60’, pas daljes me karton të kuq të Alvarez.
Vendasit zhbllokuan sfidën në minutën e 25’ me Sorloth që i dha avantazhin ekipit të tij.
Ndërkohë në minutën e 37’ të takimit Kubo realizoi golin e dytë për Real Sociedad. Miqtë tentuan të përgjigjen dhe në minutën e 40’ Sancet rihapi sfidën.
Megjithatë pasi Alvarez mori karton të kuq dhe la Bilbao-n me 10 lojtarë më saktë vetëm dy minuta pas këtij momenti, Oyarzabal realizoi nga pika e bardhë e penalltisë dhe i dhuroi golin e tretë Sociedad-it, duke vulosur njëkohësisht edhe rezultatin e kësaj ndeshjeje.
Pas javës së 17-të të La Liga, Real Sociedad renditet në vend të tretë me 35 pikë, teksa Athletic Bilbao renditet në vend të 8-të me 26 pikë.