Rafael Nadal është gati për të mbrojtur statusin e kampionit në turneun e parë të vitit 2023, Australian Open. Tenisti spanjoll prej javësh është marrë me stërvitje intensive ndërsa duket se ka lënë pas dëmtimin në muskujt e barkut që e vuan prej Ëimbledon dhe që e shoqëroi edhe në US Open.
Në fakt, problemet fizike të 36-vjeçarit shtuan dyshimet se mund të ishte edhe fundi i karrierës së Nadal. Në konferencat e shtypit prej kohësh tema e tërheqjes së tij nga sporti është shndërruar në kryefjalë ndërsa së fundmi, tenisti nga Mallorca u shpreh se kur të vijë momenti do ta deklarojë vetë tërheqjen teksa shtoi se për momentin qëllimi i tij është të fitojë të gjithë titujt që janë në lojë për vitin 2023.
“Unë nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë për gjashtë muajt e ardhshëm, realiteti është se jam në Australi për të luajtur. Do të provoj të arrij gjithçka në vitin 2023, do të luftoj për të gjithë titujt që janë në lojë. Do të jap gjithçka edhe për karrierën që kam pasur dhe vuajtjet që kam kaluar, unë nuk mendoj për tërheqjen në këtë moment.
Ju e mendoni atë javë pas jave (drejtuar gazetarëve), të paktën kjo është ajo çfarë kuptoj nga çdo konferencë. Megjithatë, unë tashmë do të pëgjigjem në të njëjtën formë sa herë më pyesni”, u shpreh Nadal. Kujtojmë se Australian Open starton më datë 16 janar dhe mund ta ndiqni në platformën Digitalb/SuperSport nëpërmjet Eurosport.