Ish-presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka reaguar pas mesazheve të bëra publike nga “el Periodico”, ku bashkëpunëtorë të afërt të tij gjatë kohës që drejtonte klubin katalanas e etiketonin Lionel Mesin “një mi kanalesh” apo një “xhuxh të fryrë me hormone”.
Me anë të një deklarate për mediat, Bartomeu gjithashtu ka dashur të sqarojë dhe një herë faktin se ai nuk ka gisht në nxjerrjen në media të kontratës së Lionel Mesit, duke hedhur poshtë pretendimet e policisë së Katalonjës që e implikojnë atë dhe stafin e tij si përgjegjës për nxjerrjen e informacionit mbi përfitimet financiare të argjentinasit.
“Unë nuk kam asnjë dijeni, as nuk kam autorizuar, dhe më pak akoma të kem nxjerrë në publik detaje nga kontrata e Lionel Mesit”, ka bërë me dije fillimisht Bartomeo me anë të deklaratës së tij.
Në lidhje me komentet fyese në adresë të Lionel Mesit nga bashkëpunëtorët e tij, Bartomeu siguroi se “ato janë mesazhe në sferën private, unë respektoj lirinë e shprehjes individuale të çdo personi, edhe nëse mendoj ndryshe.
Në këtë kuptim, përsëris atë që kam thënë publikisht në raste të ndryshme: lënia e Leo Mesit për t’u larguar ka qenë një gabim historik i Barcelonës”. Në fund të komunikatës së tij, ish-presidenti i Barcelonës ka bërë me dije se policia e Katalonjës po keqinterpreton informacionin për të krijuar histori të rreme..