Espanyol rikthehet pas tre muajsh te fitorja pas suksesit 1:2 në transfertë përballë Getafes. Tre gola të mrekullueshëm vendosën fatin e përballjes së javës së 17-të të La Ligës spanjolle.
Në minutën e 6-të, Joselu shfrytëzoi daljen e gabuar të portierit vendas dhe nga 47.5 metra arriti që të shënonte një gol të jashtëzakonshëm. Megjithatë, festa e Espanyol zgjati pak, pasi 82 sekonda më vonë u përgjigj me një gol spektakolar turku Enes Unal.
Minutat në vijim ishin të kujdesshme nga të dyja ekipet, ndërsa pjesa e dytë ishte më e bukur. Në të 62′, Javi Puado nuk u përmbajt aspak duke shënuar dhe golin e dytë për miqtë, të cilët u rikthyen në avantazh.
Getafe bëri çmos në vijim për të barazuar, por nuk ia doli. Tri pikë të arta për Espanyolin që më në fund i largohet nga zona e rënies dhe avancon drejt mesit të tabelës, duke shkuar në kuotën e 17 pikëve, po aq sa dhe Getafe.
Keidi Bare vijon të jetë një mungesë e rëndësishme për katalanasit, me mesfushorin e kombëtares së Shqipërisë që ka shqetësime në gju dhe do të vijojë të jetë në infermieri edhe në javët e ardhshme.