Pioli “injoron” Interin

Futboll

Pioli “injoron” Interin

Më: 17 janar 2023 Në ora: 11:02
Pioli

Inter dhe Milan përballen të mërkurën në Arabinë Saudite teksa derbi këtë herë zhvillohet për llogari të finales së Superkupës së Italisë.Në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri Stefano Pioli theksoi se Interin e kanë mundur njëherë gjatë këtij sezonit ndërsa komentoi edhe zërat që flasin për një transferim të mundshëm të Gianluigi Buffon te kuqezinjtë.

“Fitorja është shumë e rëndësishme, fituam në vitin e kaluar dhe tani na duhet shumë vazhdimësia. Kjo do të thotë që ne kemi rritur nivelin, por do të thotë që edhe jemi përmirësuar në mentalitet. Java e fundit nuk ishte ndër më të mirat, por Superkupa është një ndeshje veçmas nga të tjerat. Vetë derbi ndaj Inter është i tillë dhe nuk lidhet shumë me ecurinë e ndeshjeve të fundit, derbi bën histori dhe kur në mes është edhe një trofe, vlera vetëm sa shtohet.

Luajmë ndaj rivalëve tanë që i mundëm sezonin e kaluar në kampionat, po ashtu kemi fituar në dy ndeshjet e fundit ndaj tyre. Ato kanë qenë ndeshje ku kemi kaluar momente të vështira dhe ashtu duhet të bëjmë edhe të mërkurën.

Kemi dalë jashtë Kupës së Italisë, kemi humbur një objektiv të sezonit por sezoni nuk përfundon me sfidën ndaj Inter.

Ngjeshja e ndeshjeve është pak problem, por të gjitha skuadrat me përjashtim të Napolit kanë pasur shumë ulje e ngritje. Edhe Interi ka pika të dobëta, por nuk mund të flas më shumë në konferencë.

Buffon te Milan? Kjo është një bombë e vërtetë. Ne për momentin jemi duke rikuperuar lojtarë nga dëmtimi dhe do të jemi të plotë”, u shpreh Pioli. Kujtojmë se Superkupën e Italisë mes Inter dhe Milan mund ta ndiqni në SuperSport 2 duke nisur nga ora 20:00.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat