Turneu i Përfaqësueseve Rajonale që organizohet nga FSHF për moshat U-13, U-14 dhe U-15 ka zhvilluar ditën e sotme në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz dhe në Fier, ku janë luajtur ndeshjet e grup-moshës U-14 dhe U-15.
Në Kamëz janë luajtur ndeshjet e grupmoshës U-14, ku ekipi rajonal i Tiranës mposhti Lezhën në takimin e parë me rezultatin e pastër 2-0, duke kaluar kështu në fazën tjetër, ndërsa Durrësi mundi me shifrat e thella 4-0 Shkodrën. Në ndeshjen tjetër për të përcaktuar vendin e tretë dhe të katërt,
Shkodra mundi Lezhën me rezultatin 3-1, ndërsa në finalen e vogël mes Tiranës dhe Durrësit, ishin kryeqytetasit ata që buzëqeshën në fund, pas triumfit me penallti. Koha e rregullt e takimit final u mbyll me shifrat 2-2, teksa me penallti, Tirana fitoi me rezultatin 5-4.
Edhe ndeshjet e luajtura në stadiumin ‘Loni Papuçiu’ në Fier për grupmoshën U-15 ishin mjaft interesante.
Fieri mundi Korçën me shifrat 3-0 duke kaluar në fazën tjetër, ndërsa Gjirokastra mposhti Elbasanin me rezultatin e ngushtë 3-2.
Në finalen e vogël të grupit të kësaj moshe, Fieri triumfoi me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Gjirokastrës, duke kaluar në finalen e së premtes, ku do të përballet me Tiranën. Në ndeshjen tjetër, Elbasani siguroi vendin e tretë për këtë grupmoshë, pasi mundi Korçën me rezultatin 3-1.