Në Napoli është ngritur alarmi nga moti i keq, aq sa shkollat dhe parqet janë mbyllur.
Në pikëpyetje ishte edhe ndeshja për Kupën e Italisë mes Napolit dhe Cremoneses, e planifikuar për t’u luajtur sonte në orën 21:00, në stadiumin Maradona.
Megjithatë pas një mbledhje të zhvilluar në orën 17:30-18:00 është vendosur që takimi të luhet rregullisht dhe të mos shtyhet për një ditë tjetër, siç po diskutohej gjatë pasdites.
Në mbledhjen që u vendos që ky takim të luhet sot, morën pjesë zjarrfikës, zyrtarë të prefekturës dhe delegatë të federatës italiane, në prani të drejtuesve të Napolit.
Ndeshja është e vlefshme për fazën e 16-të dhe për ndjekësit shqiptarë do të transmetohet ekskluzivisht në “SuperSport 2”.