Arsenal rikthen interes në drejtim të Nicolo Zaniolos. Talenti i Romës duket në një moment krize me verdhekuqtë në këtë sezon (2 gola në 17 prezenca) dhe raporti duket i krisur edhe nga vetë dëshira e lojtarit për t’u larguar në drejtim të një klubi më të madh ashtu siç theksoi në verë kur ishte shumë pranë transferimit te Juventus.
Kontrata e Zaniolos me kryeqytetasit skadon në vitin 2024, mirëpo deri më tani negociatat për rinovim kanë dështuar. Ndaj, drejtuesit italianë për të mos e humbur me parametra zero 23-vjeçarin janë të hapur të dëgjojnë ofertat, madje edhe në merkaton e janarit.
Sipas asaj që raporton “La Repubblica”, Arsenal është gati të ofrojë një shifër që varion nga 30-40 milionë euro me palët që kanë nisur kontaktet e para.
Megjithatë, është për t’u theksuar se një ofertë konkrete ende nuk ka mbërritur në selinë e verdhekuqve.
Nga ana tjetër, sa i takon pozicionit të Mourinhos në këtë mes, trajneri portugez nuk është i kënaqur me idenë se mund t’i largohet një futbollist si Zaniolo, mirëpo nga ana tjetër mirëkupton klubin që i duhet të mendojë për bilancin në fundin e sezonit.