Roma mund të humbasë që në merkaton e janarit mesfushorin Nicolo Zaniolo. Lajmin e konfirmoi sot e përditshmja italiane “La Repubblica”, që tha se trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, ka hedhur grepat te mesfushori i kombëtares “azzurre”. “Topçinjtë” janë në kërkim të një mesfushori që luan në të dyja krahët dhe emri më i përshtatshëm është ai i Zaniolo.
23-vjeçarin ka një kontratë që përfundon në verën e vitit 2024 me Romën, e cila nga ana e saj ka kohë që përpiqet t’ia rinovojë atë, por pa sukses. Roma e vlerëson lojtarin 40 milionë euro, një shumë që Arsenal mund ta paguajë pa shumë probleme, për një mesfushor mjaft të talentuar dhe efikas në lojën sulmuese.
Mësohet se kontaktet mes palëve kanë kohë që kanë nisur, madje transferimi mund të kryhet që në janar.
Deri më tani, Arsenal ka shfaqur vetëm interesim dhe përpiqet të joshë lojtarin, ndërkohë që Roma nuk do ta lërë Zaniolo në formë huazimi, por vetëm duke shitur 100% kartonin e tij. Vështirë do të jetë që të bindet edhe trajneri Jose Mourinho, që nuk dëshiron që mesfushori të largohet.