Real Madrid ka shmangur eliminimin nga Kupa e Mbretit duke fituar me një përmbysje të pabesueshme ndaj Vijarealit në fushën e këtij të fundit, në një ndeshje që dukej se mund të përfundonte keq për skuadrën e Ançelotit.
Pas humbjes në Superkupë, Reali duhej të reagonte, por u godit shumë shpejt nga goli i Kapue. Goli i Çukueze në fundin e pjesës së parë, la të mendohej se ndoshta madrilenët do t’i jepnin lamtumirën një tjetër objektivi të sezonit.
Por pjesa e dytë ndryshoi gjithçka me aktivizimin e Cebajos i cili u bë protagonist me asistin për golin e Vinicius vetëm pak sekonda pas hyrjes në fushë.
Në minutën e 69 erdhi edhe barazimi me Miltaon që zgjoi Realin i cili hodhi sytë para dhe në fund të sfidës, në minutën e 89-të, gjeti edhe golin e përmbysjes. Ai erdhi pikërisht me Cebajos, pas asistit të Asensios i cili gjithashtu e kishte nisur sfidën nga stoli.
Kështu, Reali siguroi praninë mes 8 skuadrave më të mira në këtë turne që mbetet objektiv për ekipin e drejtuar nga Ançeloti.