Hulian Alvarez ishte basti i fituar i Pep Guardiolës mbrëmjen e djeshme në “Etihad”.
Kampioni i botës u preferua në sulm përkrah Halandit dhe argjentinasi nuk zhgënjeu përballë Totenhemit.
“Ishte një ëndërr të luaja për Argjentinën në Botëror dhe ta fitoja në moshën 22-vjeçare. Ishte një moment i shkëlqyer. Maradona apo Mesi? Ne argjentinasit jemi krenarë për këto dy ikona.
Mesi është idhulli im, unë jam rritur duke e parë”, tha autori i golit të parë të “Qytetarëve” kundër Totenhemit.
“Ne të gjithë e dimë se çfarë përfaqëson Pep në arenën botërore të futbollit dhe se sa shumë ai di. Ai është një trajner klasi. I gjithë stafi më ka mirëpritur dhe trajtuar shumë mirë dhe më ka ndihmuar që të vazhdoj të përmirësohem si lojtar dhe si njeri. Përpiqem gjithnjë që të ndihmoj shokët e skuadrës kur kanë nevojë.
Por sigurisht që çdo lojtar dëshiron të luajë dhe unë po punoj fort që të luaj sa më shumë minuta”, u shpreh Alvarez.