Çështja e stadiumit të Ferizajt, u harrua shpejt! Një peticion gjatë verës sa për të thënë bëmë diçka.
Po të ishte puna me peticione krejt bota do t’i kishin zgjidhur problemet duke organizuar peticione!
Një Ferizaj pa stadium, për turp!
Një Drenas e një Lipjan, qyteza por me stadiume simpatike, ju lumtë!
Në Ferizaj luftojnë kush është i pari me pozitë e kujt po i rri kravata me mirë.
Disa është mirë të deklarohen: A e duan Ferizajn për interesa të veta, për kozmetikë dhe për t’u dukur bukur apo përnjëmend e duan, pa hile?
“Pak është e besueshme që ka aty të vërtetë” që e duan Ferizajn pa hile, po ta donin sot stadiumi i vjetër do të ishte në gjendje normale, të paktën do t’i shërbenin për stërvitje dhe ekipeve tjera për zhvillimin e ndeshjeve dhe jo të shndërrohet për turp dhe nuk ka mbetur për asgjë.
Nuk e mbrojtën stadiumin e vjetër, se ndoshta disa menduan se ka qenë i Borcit qysh e ka pas emrin një kohë, duke harruar se ai stadium është i shqiptarëve, i emrave të futbollit Ismet Shabani, Fatlik Krelani, Fehmi Hyseni, Arsim Abazi, Naim Sojeva, Faton Sojeva, Qerim Shaqiri, Rexhep Murseli, Faton Sojeva, Naser Sinani, Nadir Haxhimusa, Lavdrim e Luan Alija, Bujar Asllani, Përparim Veliu, Hasan Shala, Kemajl Bekteshi, Xhelal Koxha, Ismet Sahiti, Mervan Bejtullahu., Sherif Topalli, Burim, Çerkini, Luan Çerkini...
Kur dëgjon disa që thonë: “Të dua Ferizaj”. Sa t’ju del interesi do ta duan gjithë por kur nuk e kanë, as që e duan! Nuk jetohet dhe as ndërtohet stadiumi me pallavra dhe kush po flet më bukur!
Që nga viti 1981 është projekti për stadium, një herë për 30 mijë shikues, pastaj për 50 mijë, tani për 10 mijë, a çudia është që nuk janë në gjendje as për 1000 veta të ndërtojnë një stadium!
Qytetari vuan për një stadium, ndërsa ata për kozmetikë dhe rrahgjoksat vazhdojnë me të njëjtën politikë! Ky është mallkimi i një qyteti tash e 23 vite të pasluftës.
Dikush tha si në shaka: “Po projektohet një stadium për 100 mijë veta, do të dukej një ëndërr e bukur”. Sërish vjen vera, sërish vjen peticioni.