Pas ndërhyrjes kirurgjikale në gju, Zlatan Ibrahimovic vijon të mos ketë një datë konkrete për rikthimin në fushë.
Në fakt, pritej që janari të ishte muaji i duhur për sulmuesin megjithatë duket e vështirë dhe nga krahu tjetër, koha ecën kundër 41-vjeçarit.
Aq sa edhe tek një si Ibra nisin të duken shenjat e para të dorëzimit duke qenë se në Itali gjithnjë e më shumë këmbëngulin se suedezi pritet të njoftojë fundin e karrierës.
Një karrierë tejet e pasur dhe e mbushur me episode që do të mbahet mend gjatë.
Ndërkohë, te Milan kërkojnë të respektojnë një figurë si Zlatan që klubit kuqezi i ka dhuruar shumë. Kështu, me të “varur këpucët në gozhdë”, drejtuesit e Milanit po mendojnë t’i ofrojnë Ibrës rolin e ambasadorit të klubit.
Një post honorifik që lartëson figurën e Ibrahimovic, ndërsa do t’i mundësonte lojtarit qëndrimin pranë Milanit që është klubi i zemrës për 41-vjeçarin.
Gjithsesi, këto janë planet e të adhmes së afërt me Zlatan që do të provojë një sforco të fundit, të paktën për t’u përshëndetur nga afër me tifozerinë e San Siros.