Entuziazmi i zikaltërve pas triumfit në Superkupë përballë Milanit është demonstruar kudo, por ka shërbyer mbi të gjitha për vetë skuadrën dhe për të rritur ndërgjegjësimin e lojtarëve të Interit mbi forcën e tyre.
Një 2023 thuajse perfekt, ku mund të përmendet vetëm barazimi me Monzën në kampionat, edhe ky i mbërritur për shkak të një gabimi të arbitrit, kanë bërë të besojë Interin te vazhdimësia, ajo që deri më tani ka qenë pika e dobët e skuadrës.
Të bindur për këtë janë mbi të gjithë lojtarët, që siç raporton “La Gazzetta dello Sport” gjatë festimeve në dhomat e zhveshjes në Rijad për Superkupën, i kanë premtuar presidentit Zhang se do të luftojnë për të sjellë në Milano të gjithë trofetë për të cilët janë në garë.
Interi në fakt është e vetmja skuadër që ka ende mundësi të fitojë titullin, Champions League dhe Kupën e Italisë, duke marrë parasysh eliminim e Juventusit nga Europa dhe atë të Milanit e Napolit nga Kupa e Italisë.
Grupi është ndalur te mentaliteti dhe kanë premtuar të njëjtin intensitet, shpirt dhe përqendrim në çdo ndeshje të kampionatit, e mbi të gjitha në 1/8-at në Europë përballë Portos, premtime këto që janë siguruar t’i përsërisin edhe më vonë.
Në udhëtimin e Interit drejt Milanos, në bordin e avionit ku gjendej edhe presidenti, organika është siguruar të përcjellë sërish të njëjtin mesazh.
PRESIDENTI – Nga ana tjetër, 30-vjeçari kinez ka biseduar përsëri me skuadrën, duke i bërë komplimentet e tij për triumfin dhe duke premtuar afërsinë e kryesisë me ekipin, për t’u ndalur më pas te një bisedë kokë më kokë me Samir Handanoviçin, kapitenin zikaltër kontrata e të cilit skadon në qershor, por që mund të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës edhe për një vit.
Transmetimi i besimit nga kapiteni te presidenti dhe anasjelltas i ka shërbyer më së shumti Inzagit, që falë edhe rezultateve pozitive të skuadrës nuk i duhet më të vendoset në shënjestrën e presidentit për objektivat. “Të provojmë t’i fitojmë të gjitha” ka qenë fraza më e përsëritur në bordin e avionit dhe gjatë gjithë festimeve. Tashmë Interit i duhet vetëm ta përkthejë euforinë në rezultate.