Futbollisti ukrainas, Oleksandr Zinchenko pas fitores së djeshme kundër Manchester Unitedit ka zbuluar se kur erdhi te Arsenali verën e kaluar nga Manchester City, askush në klub nuk i besonte kur tha se do të luftonin për titullin e kampionit.
“Topçinjtë” po luajnë një sezon fantastik në të cilin kanë vetëm një disfatë dhe në këtë moment duken si kandidatët më seriozë për titull në Ligën Premiere.
“Kur erdha këtu, u thashë shokëve të mi se nuk po mendojmë për një vend në ‘Top 4’, por se po shkojmë për titull.
Shumë njerëz qeshën me mua, por tani të gjithë besojnë se ne mund të jemi kampionë”, tha Zinchenko.
Pas 19 ndeshjeve të luajtura, Arsenali ka 50 pikë dhe asnjëherë në historinë e tij, madje as në epokën e “të pamposhturve” të Wengerit, ky klub në mes të sezonit nuk ka pasur kaq shumë pikë.