Marco Asensio, lojtari i Real Madridit për shtatë sezone, është duke negociuar vazhdimin e tij me skuadrën e bardhë.
Kontrata e tij përfundon më 30 qershor dhe Florentino Perez i ka paraqitur një ofertë rinovimi… me një çmim të ulët. Për momentin, të dyja palët nuk kanë arritur një marrëveshje, pasi kërkesat e lojtarit janë më të mëdha se ato që presidenti madrilen është i gatshëm t’i ofrojë atij.
Në formacionin e Carlo Ancelottit, ai ka humbur hierarkitë te të bardhët. Kjo është diçka që e shtyn të reflektojë. Deri në atë pikë sa të përfitojë nga fakti se viti ka nisur dhe ai tashmë është i lirë, sipas rregullores së FIFA-s dhe mund të negociojë me klube të tjera.
Marco Asensio bëri një lëvizje të çuditshme disa muaj më parë, kur ndryshoi agjentin e tij prej shumë vitesh, një yll si Horacio Gaggioli, për ta vënë veten në duart e Jorge Mendes.
Portugezi ka akses në shumë klube, në Premier… dhe te Barcelona. Kjo është ajo që ka ndodhur muajt e fundit. Asensio ka hetuar opsione të ndryshme nga ato të Real Madridit dhe një prej tyre është Barça.
Zona sportive e Barcelonës ruan një marrëdhënie të ngushtë me Mendes dhe një nga temat e bisedës, apo negociatave, që ata kanë ngritur për të ardhmen, përveç Rúben Neves, është ajo e Marco Asensio. Barcelona dhe agjenti i lojtarit kanë diskutuar mundësinë që ai të përfundojë në “Camp Nou”, duke përfituar nga fakti se ai do të mbërrinte i lirë dhe nuk ka asnjë tarifë transferimi për të paguar.
Nga sa mësohet ende nuk ka një marrëveshje mes dy palëve. Në fakt, Asensio ende nuk ka vendosur asgjë për të ardhmen e tij. Mund të qëndrojë në Madrid, mund të shkojë në Premier League ose të nënshkruajë me Barcelonën. Gjithçka është e hapur.
Natyrisht që me kalimin e javëve zvogëlohen mundësitë që ai të vazhdojë në Madrid. Rasti i tij nuk është si i Modric apo Kroos, të cilët për shkak të moshës dhe karrierës janë të lidhur ngushtë me klubin e bardhë. Asensio është 27 vjeç, ka ende shumë futboll përpara dhe roli i tij brenda “los blancos” nuk e fton për të qenë optimist, sepse pak nga pak ka humbur vendin e titullarit.
Asensio, me origjinë nga Mallorca, ishte një hap larg nënshkrimit për Barcelonën në vitin 2014, por më pas klubi katalanas refuzoi t’i paguante Mallorca-s rreth 4 milionë euro për të dhe sulmuesi përfundoi në Madrid.
Në javët e fundit, Asensio është pyetur në disa raste për një largim hipotetik nga Real Madridi dhe për mundësinë e të shkuarit te Barça: “E vetmja gjë për të cilën mendoj është Real Madridi. Jam i lumtur atje, por në të ardhmen nuk e dini kurrë se çfarë mund të ndodhë”.