Fikayo Tomori humb derbin ndaj Interit. Mbrojtësi i Milanit doli nga loja gjatë pjesës së parë në ndeshjen kundër Lazios. Ekzaminimet mjekësore nxorën në pah dëmtimin e muskulit të kofshës së majtë.
Vlerësimi final pritet pas 7 ditësh, por thuajse me siguri Tomori humb derbin me Interin, i planifikuar më 5 shkurt.
Lajm i keq për 25-vjeçarin, por nga ana tjetër ka sinjale pozitive nga dy mbrojtësit e tjerë. Asgjë serioze për Kalabrian, i cili ka marrë thjesht një goditje në pulpë, ndërsa Theo Hernandez duhet të kthehet me grupin nga e enjtja.
Tomori, edhe pse nuk po kalonte një moment të mirë të formës, është ende një element kryesor i skuadrës, një nga sekretet e ecurisë së pabesueshme të sezonit të kaluar.
Një humbje e rëndë në një moment vërtet të komplikuar për kuqezinjtë, që kanë humbur Superkupën, janë eliminuar nga Kupa dhe janë shumë larg Napolin kryesues në Serinë A.
Gjithçka që i mbetet Milanit është të luajë shanset më të mira në Champions League dhe të fitojë një vend në top-4 me çdo kusht.
Objektivi i fundit, që deri para nja dy javësh dukej i blinduar, tashmë është në rrezik të madh.
Për Tomorin ky është dëmtimi i tretë në kofshë, duke nisur nga sezoni 2019/2020, kur luante te Chelsea. Dëmtimi i dytë vitin e kaluar me Milanin dhe i treti dje, në “Olimpico”, kundër Lazios.