Kukësi arriti një fitore të rëndësishme 1-2 përballë Egnatias në stadiumin “Arena Egnatia”.
Ekipi i Rrahman Hallaçit triumfoi me përmbysje dhe përkohësisht i largohet vendit të fundit në renditjen e Superiores.
Skuadra nga Rrogozhina humbi një shans të mirë për t’u ngjitur në vendin e tretë, ndërkohë që regjistroi ndeshjen e tretë pa fitore në fushën e vet.
Egnatia fitoi një penallti në minutën e 35’, të cilën e ekzekutoi saktë braziliani Fernando.
Kukësi reagoi në pjesën e dytë, shënoi dy gola dhe u rikthye në shtëpi me tri pikë të arta.
Barazimi erdhi në minutën e 70’, moment kur gjuajtja e Edison Ndrecës u devijua në portën e tij nga Renato Malota. Verilindorët morën zemër dhe katër minuta nga fundi gjetën golin e fitores.
Boshnjaku Mirza Delimedjac, i cili u fut në fushë në mesin e pjesës së dytë, realizoi një gol të bukur dhe i dhuroi triumfin e shumëpritur skuadrës së tij.