Redon Xhixha është fituesi i “Topit të Artë” për kampionatin shqiptar. Sulmuesi i cili mbylli vitin 2022 me Tiranën është votuar si më i miri i vitit që lamë pas nga trajnerët dhe kapitenët e skuadrave të Abissnet Superiores.
24-vjeçari ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm që formacionit të Tiranës, duke kontribuar maksimalisht me golat e tij në fitimin e titullit kampion.
Në vitin 2022, Xhixha shënoi 23 gola në kampionat, kupë dhe ndeshjet ndërkombëtare, po aq sa dhe Xhuljano Skuka, i cili u rendit i dyti nga votat e marra, ndërkohë në vendin e tretë u rendit Mentor Mazrekaj i Laçit.
Xhixha e mbyll vitin 2022 në mënyrë të jashtëzakonshme pasi vetëm pak ditë më parë u transferua tek ekipi i Qarabag. Nga Azerbajxhani, në pamundësi për të qenë në Tiranë, 24-vjeçari është shprehur shumë i lumtur për këtë çmim prestigjoz.
“Është një emocion jashtëzakonisht i madh për mua që jam vlerësuar me këtë çmim
. Ndihem keq që nuk jam sonte në sallë me ju që ta tërheq vetë këtë çmim, por para pak ditësh finalizova transferimin tim te Qarabag dhe e kam të pamundur të jem aty.
Dua të falënderoj familjen time dhe ekipin e Tiranës ku dola kampion.
Dua të them që futbolli shqiptar është një vitrinë e mirë për të bërë një hap të rëndësishëm në karrierë në ekipet e njohura europiane.
Mbrëmje të bukur të gjithëve dhe ia kalofshi sa më mirë”, deklaroi Xhixha.
Sulmuesi kurbinas u ftua dhe nga kombëtarja shqiptare në dy ndeshjet miqësore me Arabinë Saudite dhe Katarin, ku bëri mirë, pavarësisht se nuk arriti dot që të shënonte.