Evis Kushi, ministrja e Arsimit dhe Sporteve, mori fjalën në mbrëmjen gala “Më të mirët 2022”, që organizohet nga FSHF dhe Digitalb dhe që po transmetohet në SportNews.
Pasi lexoi emrin e Redon Xhixhës si fituesi i Topit të Artë 2022, Kushi deklaroi: “Nuk ka asnjë dyshim që futbolli është sporti më popullor dhe i dashur.
Është sporti që frymëzon, bashkon njerëzit dhe ngjall emocionet më të papërshkrueshme. Në stadium kam parë burra që qajnë, nga gëzimi i fitores dhe dhimbja e humbjes.
Futbolli nxit edhe vlera, sepse që të luash bukur e të fitosh, në futboll nuk mjafton vetëm talenti, duhet disiplinë dhe sakrificë, duhet fryma e ekipit dhe harmonia.
Për këto vlera, unë jam shumë krenare që bashkë me presidentin e FSHF-së nënshkruam një marrëveshje për futbollit në shkolla, me mbështetjen e FIFA-s. Duam ta nxisim që në moshë të vogël te fëmijët këtë sport.
Futbolli sjell edhe zhvillim, e pamë si Tirana u shndërrua në kryeqytetin e Europës me finalen e Conference League. Por duhet infrastruktura për të pasur futboll të zhvilluar.
Stadiumi ‘Air Albania’ është më i bukuri në botë, ai nxit krenari kombëtare për të gjithë. Kemi nisur punën për ndërtimin e tre stadiumeve të reja në Durrës, Shkodër dhe Korçë.
Pres me padurim të kemi rezultatet e para. Dua të falënderoj shumë presidentin e FSHF-së për bashkëpunimin dhe projektet që i kemi ende në proces”.