Mbyllja e javës së 18-të në ”Abissnet Superiore” prodhoi verdikte tejet të rëndësishme në kampionatin shqiptar. Tirana përforcoi pozitat në krye të klasifikimit, Partizani e ndjek me 4 pikë më pak, Vllaznia mori një humbje ndaj Bylisit që e ngadalëson disi në aspiratat për titullin kampion. Surpriza erdhi nga Egnatia, e cila, pavarësisht vendit të katërt në renditje dhe 8 pikë larg kreut shkarkoi, trajnerin Shpëtim Duro, ndërsa nga ana tjetër Kukësi dhe Teuta regjistruan suksese të rëndësishme për të larguar sadopak trysninë e javëve të fundit.
Një nga statistikat më interesante të edicionit të 84-t janë pikët e grumbulluara nga skuadrat në shtëpi dhe në transfertë. ”Loro Borici” i Shkodrës është impianti që ka parë më shumë rezultate pozitive, me Vllazninë që kryeson si skuadra më e mirë në ndeshjet brenda me plot 17 pikë.
Kuqeblutë kanë regjistruar pesë fitore në shtëpi, dy barazime dhe dy humbje ndërsa ndiqen nga Tirana, e cila ka vetëm një pikë më pak se shkodranët në ndeshjet para publikut të saj. Bardheblutë kanë ‘shtegtuar’ përgjatë 18 javëve të para, duke luajtur ndeshjet qoftë në Elbasan Arena, “Selman Stermasi” dhe “Air Albania”.
Në balotazh në kuotën e 13 pikëve në shtëpi janë Laçi, Partizani dhe Kastrioti ndërkohë që Kukësi mban vendin e fundit me vetëm 7 pikë, si ekipi që ka grumbulluar më pak pikë para publikut të tij.
Renditja është krejtësisht ndryshe sa i përket pikëve të marra në transfertë. Ajo që bie në sy është stabiliteti i Tiranës, që ka ruajtur standardin e pikëve, qoftë në ndeshjet brenda dhe jashtë. 26-herë kampionët e Shqipërisë janë skuadra më e mirë udhëtuese teksa bardheblutë kanë koleksionuar plot 18 pikë.
Tirana ndiqet nga rivalët e Partizanit, të cilët mbajnë vendin e dytë me 17 pikë, ndërsa Erzeni dhe Egnatia kanë surprizuar me rekordin pozitiv që mbajnë në transferta teksa kanë marrë 15 pikë.
Skuadrat me rekordin negativ në transfertë janë Bylisi dhe Kastrioti. Ballshiotët kanë marrë vetëm 8 pikë jashtë “Adush Mucës” ndërsa krutanët kanë koleksionuar 6 pikë, vetëm një fitore dhe tre barazime.